4.4 milionë euro grante për 167 biznese prodhuese – pjesa më e madhe për herë të parë përfituese!
Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve me 167 bizneset përfituese të skemës së granteve për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, të shpallur nga Agjencia e Investimeve dhe Përkrahjen e Bizneseve në Kosovë (KIESA) në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me një vlerë prej 4,445,222.00 euro.
Ky investim shënon një rekord të ri, me rezultate konkrete dhe të prekshme në krahasim me mbështetjen maksimale të mëparshme, ku nga 500 mijë euro sa ishte vlera maksimale e kësaj skeme mbështetëse deri në vitin 2021, sot ka arritur shifrën rekorde në mbi 4.4 milionë euro.
Ky rezultat me 167 biznese përfituese të skemës së granteve për blerjen e makinerive, përfshin 90 biznese që përfitojnë për herë të parë.
Kryeministri Kurti foli për rëndësinë e këtyre marreveshjeve për mbështetje direkte me grante ndaj ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, duke theksuar përkushtimin dhe angazhimin qeveritar për të mbështetur industrinë e prodhimit, për të shpalosur potencialin e tij për të kontribuar në mënyrë më efektive në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.
Në fjalën e saj, Ministrja Hajdari theksoi se ky program është një hap i rëndësishëm për fuqizimin e bizneseve vendore dhe përmirësimin e kapaciteteve të tyre teknologjike, duke i bërë më konkurruese në tregjet e huaja. Ajo theksoi edhe investimet kapitale në ndërtimin e parqeve industriale dhe teknologjikë dhe inkubatorë të biznesit në shërbim ndaj bizneseve në komuna dhe në akademi, dhe u zotua për përkrahjen e vazhdueshme të ndërmarrjeve fillestare mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat janë shtytës kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në vendin tonë.
Kjo mbështetje financiare direkte do të ndihmojë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të 7 nën sektorëve prioritar të industrisë prodhuese, që të zgjerojnë prodhimin e tyre industrial, të krijojnë më shumë vende pune, duke kontribuar kështu në rritjen e eksportit dhe përmirësimin e bilancit tregtar.
MINT me agjencinë KIESA, mbetet e përkushtuar për të siguruar që mbështetja të vazhdojë edhe më e fuqishme, për shpalosjen e potencialit të ndërmarrjeve tona, që janë shtytës kryesor i zhvillimit ekonomik, social dhe mjedisor në Republikën e Kosovës.